Të rinjtë që punojnë së bashku me të rriturit, atëherë ndodh magjia!
Publikuar: 27 jan 2026 Koha e leximit: 6 minuta Sdílet: Sdílet článekLEAD është organizatë e vogël joqeveritare e themeluar në vitin 2016 në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut. Me një ekip prej katër njerëzish, LEAD-i ka ndërmarrë një mision të rëndësishëm për përforcimin e shoqërisë civile dhe kapaciteteve të të rinjve për të bashkëpunuar me të rriturit për të kontribuar për një shoqëri më të mirë. Gëzohemi për bashkëpunimin me LEAD-in në projektin tonë në Maqedoninë e Veriut, dhe kishim mundësinë të flasim me Ivan Jovanov, njëri prej themeluesve dhe drejtor ekzekutiv aktual i organizatës.

Me LEAD-in dhe organizatat tjera joqeveritare në Maqedoninë e Veriut punojmë për të promovuar agjendë të gjelbër, mbrojtje të mjedisit, ndryshimet klimatike dhe një ekonomi qarkulluese në mesin e të rinjve. Projekti mbështetet nga Komisioni Evropian.
Pse vendosët ta themeloni LEAD-in?
Në këtë sektor jam që 15 vite dhe para themelimit të LEAD-it, kam qenë kryetar i njërit prej organizatave rinore në shtet. Kur më përfundoi mandati, po mendoja se çfarë të bëj. E doja shumë punën time, punën me të rinjtë, mbështetjen e zhvillimit të tyre personal dhe kontributin në shoqëri. Kishim shumë diskutime me njërin prej kolegëve atëkohë, dhe lindi ideja për LEAD-in. Formuam një grup prej 10 njerëzish të cilët ishin gati të punojnë për idenë. Dhe kështu filloi LEAD-i.
Ti punon parimisht me të rinj, por gjithashtu përfshin edhe grupe dhe institucione tjera. Si funksionon ky bashkëpunim?
Përveç të rinjve, bashkëpunojmë me shkolla, mësimdhënës dhe punonjës rinorë. Nuk mjafton të punosh vetëm me një grup. Magjia ndodh kur punon me të gjitha grupet së bashku dhe kur ato bashkëpunojnë. Për shembull, kur të rinjtë synojnë të ndërmarrin diçka vetë, ato shpesh janë të izoluar dhe kanë resurse të kufizuara. Por gjëra më të mëdha mund të ndodhin kur të rriturit bashkëngjiten me përvojën e tyre, njohuritë dhe lidhjet e tyre. Dhe kjo gjithashtu është ideja kryesore pas organizatës sonë – t’u ofrojmë mundësi të rinjve të bashkëpunojnë me të rriturit për të bërë gjëra të dobishme në shoqëri.
A përballeni me hendek brezash, hezitim ose qëndrime negative nga të rriturit lidhur me bashkëpunimin me të rinjtë?
Gjithmonë ka hendek brezash. Kur njerëzit janë të rritur, ato harrojnë si janë ndier kur kanë qenë të rinj. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi kryesor – të rinjtë mund të jenë të suksesshëm vetëm atëherë kur të rriturit ua lejojnë këtë. Kjo është çështja me të cilën duhet të përballemi më së shumti. Për shembull, e mbështesim pjesëmarrjen e të rinjve në edukimin dytësor përmes këshillave të shkollave të mesme ku të rinjtë mund të marrin pjesë në vendimmarrje. Pikërisht këtu hasim në rezistencë nga të rriturit. Ato mendojnë se të rinjtë nuk janë të aftë të marrin vendime dhe të kontribuojnë. Ato i perceptojnë të rinjtë vetëm si fëmijë.
Ne donim që të rriturit t’i dëgjojnë të rinjtë
Çfarë mendoni se mund ta përforcojë bashkëpunimin ndërmjet të rriturve dhe të rinjve?
Nga përvoja jonë, gjithmonë është më mirë të fillohet nga një shkallë më e vogël kur prezantojmë diçka të re. Nëse themi se tani do të vendosim fatin e shkollës së bashku me fëmijët, të rriturit do të jenë kundër kësaj, do të thonë se fëmijët nuk janë të aftë. Por ne sugjerojmë që të rinjtë të japin vetëm mendim si një trup këshillues. Vetëm donim që të rriturit t’i dëgjojnë ato. Këtu fillon procesi i komunikimit. Pasi të kenë biseduar të dyja grupet, përpjekjet e tyre mund të shndërrohen në diçka më të madhe.
Puna juaj përfshin shumë aktivitete, nga krijimi i programeve edukative dhe zhvillimi personal i të rinjve e deri te përforcimi institucional i organizatave. A ka ndonjë arritje për të cilën ndiheni më krenarë?
Në përgjithësi jam krenar për atë se si zhvillohen dhe ecin përpara projektet dhe aktivitetet tona. Për ne, nuk është me rëndësi vetëm përfundimi i projektit, ne duam ta përmirësojmë atë dhe ta zhvillojmë që të jetë i qëndrueshëm në të ardhmen pasi të përfundojë projekti. Dhe ky progres është forca jonë shtytëse. Me kolegët e mi kemi qëndrimet e njëjta lidhur me këtë dhe gjithmonë synojmë përmirësim.
A mund të përmendni një shembull të një prej projekteve tuaja që është ende “gjallë” edhe pas përfundimit të tij zyrtar?
Një shembull që vazhdon të përmirësohet është çmimi ynë për pjesëmarrjen e shkollave të mesme. Është një çmim nacional dhe ne përzgjedhim këshillin më të mirë të shkollës së mesme gjatë gjithë vitit. Ne përqendrohemi te mënyra se si funksionon këshilli dhe si ndikon në shkollë. Gjithashtu, e rrisim kapacitetin e këtyre këshillave për të komunikuar me autoritetet shkollore. Do të thoja se kjo është "foshnja" jonë më e rritur, tashmë është një fëmijë që ka filluar të ecë.
Si duket procesi i përzgjedhjes së këshillit më të mirë të shkollës së mesme?
Fillojmë më 1 shtator dhe zotohemi që shkollat të përzgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë demokratike gjatë muajit. Fillimisht, ato përzgjedhin kryetarin e klasës. Pastaj, kryetari përzgjedh trupin e tyre. Pas kësaj, përpilojmë listën e gjithë kryetarëve. Takohemi me to, ofrojmë trajnim dhe i përforcojmë kapacitetet e tyre për të qenë kryetarë më të mirë të shkollave. Në shkurt, aplikojnë këshillat e shkollave dhe përzgjedhim gjashtë finalistë. Në prill, ndjekin një eveniment treditor, dhe pas kësaj, përzgjedhim më të mirin.
Të rinjve u mungojnë kryesisht shkathtësitë “e buta” dhe shoqërore
Ju punoni me të rinj, mësimdhënës dhe institucione shkollore. Sipas jush, cilat janë mangësitë më të rëndësishme në arsimin në Maqedoninë e Veriut?
Ne nuk u ofrojmë arsim cilësor të rinjve tanë në Maqedoninë e Veriut. Ai është tepër teorik. Nuk përqendrohemi te aspektet praktike. Cilësia e dobët e arsimit pasqyrohet edhe në rezultatet e testeve PISA (testi ndërkombëtar i vlerësimit të nxënësve në matematikë, shkencë dhe lexim). Nxënësit tanë nuk treguan rezultate shumë të mira në këto teste. Kur të rinjtë kalojnë përmes këtij sistemi, ata nuk janë të vetëdijshëm për problemet e shoqërisë dhe nuk janë aktivë. Prandaj, ne përpiqemi ta ndryshojmë situatën dhe t'i fuqizojmë të rinjtë.
Cilët shkathtësi mendoni se u mungojnë më së shumti të rinjve?
Shkathtësi shoqërore dhe “të buta”. Nuk din si të mendojnë në mënyrë kritike, si të punojë në grupe, ose të komunikojnë në mënyrë të duhur. Këto shkathtësi janë shumë të rëndësishme dhe janë të nevojshme edhe në jetën private edhe për vendet e ardhshme të punës. Megjithatë këto shkathtësi nuk mësohen askund, as në shkollë, as në shtëpi, as në universitet. Meqë kohët e fundit u mbajtën zgjedhjet, gjithashtu kam vërejtur se të rinjtë nuk janë të informuar politikisht. Para se të votojnë, ata nuk lexojnë programe politike dhe nuk e njohin sistemin politik.
Punojmë së bashku për përfshirjen e të rinjve në ekonominë qarkulluese dhe për thellimin e njohurive të tyre lidhur me çështjet mjedisore në kuadër të sistemit arsimor. A do të kishit thënë se shkollat në Maqedoninë e Veriut ende kanë mangësi sa i përket mësimdhënies për mbrojtjen e mjedisit?
Me sa di unë, nxënësit nuk mësojnë shumë rreth mjedisit dhe mbrojtjes së tij në shkollën e mesme, megjithëse vërej se interesi për mjedisin është duke u rritur në mesin e të rinjve. Mendoj se ata janë më të informuar, por nuk do të thoja se janë më të vetëdijshëm. Shkollat duhet ta trajtojnë këtë temë në mënyrë ndërdisiplinore, jo vetëm si një lëndë e veçantë. Ajo duhet të përfshihet në të gjithë sistemin, në mënyrë që nxënësit të mund ta kuptojnë rëndësinë e kësaj teme në një shkallë më të gjerë.
Projekti “Shoqëria civile dhe të rinjtë për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm përmes ekonomisë qarkulluese në Maqedoninë e Veriut” financohet nga Bashkimi Evropian. Udhëheqës i projektit është “People in Need (PIN) në partneritet me ARNO, LEAD dhe Ekovita.
“Ky botim financohet nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “People in Need” dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bashkimit Evropian.