AVOKIMI PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË

Publikuar: 11 shk 2021 Koha e leximit: 8 minuta
AVOKIMI PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË
© Foto: People in Need

Personat me aftësi të kufizuara intelektuale janë ndër grupet më të cenueshme në Bosnjë dhe Hercegovinë (B dhe H). Ata shpesh vendosen në institucione dhe parandalohen të integrohen në shoqëri. Për të fuqizuar këtë popullsi që shpesh anashkalohet, dhe për të këputur këtë zinxhir të institucionalizimit të tyre, ‘People in Need” (PIN) dhe organizatat partnere të saj, janë duke punuar për të fuqizuar ekonomikisht personat me aftësi të kufizuara.

Që nga viti 2016, PIN ka mbështetur deinstitucionalizimin e afro 40 personave me aftësi të kufizuara intelektuale në Bosnjë dhe Hercegovinë falë programit të zbatuar me SUMERO-n, një organizatë partnere lokale. Në një projekt që është në vazhdim e sipër të titulluar “My Work”, PIN-i tani është e fokusuar të ndihmoj që personat me aftësi të kufizuara, të gjejnë një punë kuptimplotë.

"Punësimi është çelësi për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara që ata të integrohen në shoqërisë," thotë Sanja Lepić, Menaxhere e Projektit të PIN-it. "Ne duhet t'i shohim ata si anëtarë të barabartë dhe të vlefshëm të komuniteteve tona, dhe të sigurohemi që të gjithë ata gëzojnë të njëjtat të drejta si gjithë të tjerët."

Projekti është i kyçur në fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara në tetë qytete: Banjallukë, Brçko, Bihaq, Sarajevë, Zenicë, Vitez, Mostar dhe Trebinje, shpjegon Lepiq: “Ne i kemi zgjedhur këto qytete sepse ato tashmë kanë njësi banimi në të cilat personat me aftësi të kufizuara jetojnë në mënyrë të pavarur, dhe ne duam të vazhdojmë të punojmë për integrimin e tyre në shoqëri. Qëllimi ynë i parë është t'i fuqizojmë ata që të bëhen konkurrues në tregun e hapur të punës, që është diçka jashtëzakonisht e vështirë, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë."

Edhe pse personat me aftësi të kufizuara mund të kenë shpresat dhe ëndrrat e tyre për punësim, Lepiq shton se fatkeqësisht, lloji i profesioneve ku ata mund të punojnë mbetet i kufizuar: “Këto pozita përfshijnë kryesisht ofrimin e ndihmës në kuzhinë, ferma, furra buke, etj. Përmes këtij projekti, ne duam të ndryshojmë paradigmën në mënyrë që punëdhënësit të fillojnë t'i shohin ata si një resurs të dobishëm, dhe jo si një barrë për shoqërinë. Kjo është arsyeja pse ne do të punojmë jo vetëm me personat me aftësi të kufizuara, por edhe me punëdhënës potencial."

Avokimi për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Lepiq thekson se avokimi dhe komunikimi me vendimmarrësit janë komponentë të rëndësishëm të projektit. Legjislacioni aktual në lidhje me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Bosnjë dhe Hercegovinë është kundërthënës, gjë që e bën avokimin edhe më të rëndësishëm.

"Ne do të përpiqemi të identifikojmë se ku është më i nevojshëm ndryshimi dhe të përpiqemi të ndikojmë tek vendimmarrësit që të veprojnë," thotë Lepiq. “Ne do të fokusohemi në avokim dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë, veçanërisht studentëve. Për këtë, ne po përpiqemi të krijojmë bashkëpunim me pesë institucionet e arsimit të lartë në vend, përfshirë Fakultetin Juridik, Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës, Fakultetin Pedagogjik Islamik të Universitetit të Zenicës, dhe Fakultetin e Shkencave Politike në Banjallukë. Studentët nga këto institucione janë avokatë të ardhshëm, punonjës socialë dhe gazetarë, dhe ata duhet të dinë se çfarë do të thotë sot të jesh një person me aftësi të kufizuara dhe se si mund t'i përdorin ata studimet e tyre për të përmirësuar jetën e të tjerëve. Ne gjithashtu do të punojmë me vetë avokatët tanë - persona me aftësi të kufizuara, të cilët do të avokojnë për të drejtat e tyre dhe të cilët do të fuqizohen përmes trajnimeve të veçanta - të gjitha këto me qëllim të përmirësimit të pozitës së personave me aftësi të kufizuara."

Lidhur me trajnimin e ofruar nga projekti, Lepiq thotë se pjesëmarrësit janë këshilltarë nga sektori qeveritar dhe joqeveritar të cilët do të punojnë drejtpërdrejt me personat me aftësi të kufizuara. "Së pari ne duhet të fuqizojmë këshilltarët, të cilët do të ndihmojnë personat me aftësi të kufizuara të jenë konkurrues në tregun e punës, të njohin aftësitë dhe prirjet e tyre, të shkruajnë CV të mira, të jenë të përgatitur mirë për intervista me punëdhënësit dhe të dinë se ku të kërkojnë punë."

Pas trajnimit, këshilltarët do të punojnë për të zgjedhur përfituesit lokal, në bashkëpunim me qendrat e punës sociale të ndërlidhura me projektin. "Ne gjithashtu do të kontaktojmë byrotë e punësimit për të pasur qasje në profilet e personave me aftësi të kufizuara, me të cilat mund të punojmë," shpjegon Lepiq.

Bartja e njohurive nga Republika Çeke

Si pjesë e projektit, profesionistë dhe ekspertë vendor nga Republika Çeke - ku një program i ngjashëm ka rezultuar i suksesshëm - do të ndajnë njohuritë e tyre dhe do të prezantojnë praktikat më të mira. Njëri nga këta profesionistë është Jana Loskotová, një punonjëse sociale nga organizata joqeveritare çeke Rytmus, organizatë kjo e cila e mundëson integrimin social për personat me aftësi të kufizuara. Ajo potencon se të gjithë mund të kontribuojnë në mënyrë të vlefshme për shoqërinë, pavarësisht nëse kanë aftësi të kufizuara apo jo. "Të gjithë mund të jenë të suksesshëm dhe të lumtur në punën e tyre, dhe të jenë anëtarë të barabartë të shoqërisë," thotë Loskotová.

Për sa i takon mundësive për personat me aftësi të kufizuara në tregun çek të punës, Loskotová thotë se suksesi ndryshon dhe se pandemia e ka përkeqësuar situatën. Ajo tërheq vëmendjen se: “është mjaft e zakonshme që një person me aftësi të kufizuara të gjejë një punë në Republikën Çeke, veçanërisht në Pragë. Sigurisht që kjo jo gjithmonë arrihet lehtë dhe është e domosdoshme që të punësuarit të shpenzojnë kohën për të njohur më mirë punëdhënësit e tyre. Sa më shumë që ata e njohin njëri -tjetrin, aq më shumë mund ta kuptojnë që marrëdhënia është e dobishme për të dy palët. Situata është më komplekse në zonat rurale, por edhe atje ka ende disa mundësi punësimi. Rytmus nuk operon vetëm në Pragë, por edhe në Moravia, në pjesën lindore të Republikës Çeke, duke e dëshmuar këtë ndryshim."

Luftimi i paragjykimeve

Izabela Alikadiq punon në shoqatën ProReha në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila fokusohet në trajnimin, arsimimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ajo ka marrë pjesë në njërin nga trajnimet në mënyrë që të fitojë njohuri dhe aftësi të reja për të ndihmuar organizatën e saj të punësojë më shumë persona me aftësi të kufizuara.

Alikadiq deklaron se: “Projekte të tilla janë shumë të dobishme për personat me aftësi të kufizuara, por edhe për shoqërinë tonë. Është e rëndësishme që të luftojmë paragjykimet dhe të kuptojmë se personat me aftësi të kufizuara mund të bëjnë shumë nëse u jepet mundësia dhe ata mbështeten. Në fund të fundit, ata në fakt mund të na japin shumë më shumë sesa që ne u japim atyre. Ata mund të jenë punëtorë shumë të mirë dhe duhet të shihen nga ajo perspektivë - atë që ata mund të bëjnë dhe japin, dhe jo nga ana negative - atë që nuk munden. Gjithsecili mund të bëj një punë, vetëm se ata duhet të njihen, të kujdesemi për ta dhe të fuqizohen. Kjo është një mënyrë për t'u dhënë një shans këtyre njerëzve. Edhe më mirë do të ishte nëse më shumë institucione do të përfshiheshin në projekte të tilla, për të kapërcyer së bashku paragjykimet e njerëzve dhe për ta bërë këtë shoqëri shumë më të mirë se që është."

Sipas përvojës së saj, Alikadiq mendon se pengesa më e madhe me të cilën ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara janë paragjykimet e njerëzve të tjerë. Qasja është një problem tjetër. Për shembull, përdoruesit e karrigeve me rrota e kanë të vështirë të lëvizin nëpër rrugë, të shfrytëzojnë transportin publik ose të kenë qasje në institucionet publike. "Këto janë disa nga gjërat elementare për të cilat duhet të punojmë," thotë Alikadiq. Në pyetjen se çfarë mund të bëjë secili prej nesh për të përmirësuar jetën e personave me aftësi të kufizuara, ajo tha se tejkalimi i paragjykimeve tona do të ishte një hap i madh në drejtimin e duhur.

Haris Kanliq, gjithashtu nga organizata ProReha, kishte marrë pjesë në trajnim së bashku me Alikadiqin. Ai donte të mësonte se si të ndihmonte personat me aftësi të kufizuara të angazhoheshin me punëdhënësit. "Unë sigurisht se do t'i përdor njohuritë e fituara për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara në mënyrë që sa më shumë prej tyre të punësohen," thekson Kanliqi. "Unë mendoj se ne kemi nevojë për projekte të tilla për të ndihmuar publikun që të mos i shoh personat me aftësi të kufizuara si "barrë për shoqërinë", por të vlerësojë kontributet e tyre. Paragjykimi është problemi më i madh sepse ata shihen si njerëz që nuk mund të bëjnë asgjë. Megjithatë, dhe tani flas nga përvoja ime pasi që punoj në një kompani që punëson tre persona me aftësi të kufizuara: ata mund të bëjnë shumë gjëra, ata mund të jenë anëtarë të barabartë të shoqërisë. Me ndjeshmërinë dhe mbështetjen e duhur ndaj tyre, ata mund të integrohen në shoqëri."


Projekti “My Work” financohet nga Agjencia Çeke për Zhvillim [“Czech Development Agency”] dhe po zbatohet nga PIN në bashkëpunim me partnerët e saj boshnjak, ProReha dhe SUMERO nga Sarajeva, dhe “Nešto Više” nga Banjalluka. Projekti, sipas planit, do të vazhdojë deri në fund të vitit 2022.


Teksti bazohet në intervistën dhënë Radio Sarajevës më 17 nëntor 2020 dhe përdor citate të dhëna gjatë kësaj interviste.

Autor: Radio Sarajevo/PIN

Artikuj të ngjashëm