Maria nga Maqedonia e Veriut: Kujdesi për kafshët dhe zhvillimi i ekonomisë qarkulluese

Publikuar: 4 qer 2026 Koha e leximit: 4 minuta

Në Rankovcë, Maqedonia e Veriut, Maria kujdeset për mbi 60 kafshë. Ferma e saj është unike, pasi u ofron vizitorëve fuqi shëruese, qetësi dhe gëzim. Gjithashtu, kontribuon për një mjedis më të shëndetshëm përmes praktikave të ekonomisë qarkulluese.                              

Maria nga Maqedonia e Veriut: Kujdesi për kafshët dhe zhvillimi i ekonomisë qarkulluese
© Foto: Eva Mrázková

Maria kujdeset për kuaj, gomarë, dhi, lejlekë, qen dhe mace të shpëtuara, të cilat kanë kaluar vështirësi dhe shpesh kanë nevojë për trajtim të veçantë. Çdo ditë, ajo i ushqen, kujdeset për nevojat e tyre dhe kryen punët e fermës. Ajo i menaxhon vetë të gjitha punët me buzëqeshje, gëzim dhe energji ngjitëse.

Nga një qytet i madh, në fshat 

Maria asnjëherë nuk ka qenë një fermere, ajo ka mësuar gjithçka vetë. Ajo ka jetuar në Shkup, dhe më vonë shpërngulet në Nju Jork për të kontribuar si voluntere. Pas 14 vitesh vendos të kthehet në atdheun e saj. 

“Doja të kontribuoja këtu në komunitetin. Në ShBA kontribuoja në hipoterapi. Fitova përvojë të vlefshme duke punuar me njerëz që përballen me probleme psikologjike ose shikim të dëmtuar. Dhe doja t’u tregoja njerëzve se kafshët kanë fuqi për të ndihmuar,” thotë Maria.  

Ajo krijoi një fermë e cila do të shërbejë si një vend i këndshëm si për njerëzit ashtu edhe për kafshët. Misioni i Marias është ta mbështesë komunitetin lokal, dhe e themeloi organizatën e parë joqeveritare në këtë fushë. “Pink Support” ofron një hapësirë ku secili mund të lidhet me natyrën dhe kafshët. Maria organizon evenimente dhe punëtori për gratë lokale dhe prindërit e vetëm. Ajo mirëpret vizitorë nga vende tjera për të qenë të pranishëm në seancat e hipoterapisë dhe për të kaluar kohë me kafshët. 

“Gjatë verës, gjithashtu organizojmë program për detoks digjital dhe njerëzit e pëlqejnë shumë. Ato kalojnë kohë me kafshët, mësojnë si t’i kalërojnë dhe të kujdesen për kuajt”, thotë Maria. 

“Vetëm qaja”

Përveç organizimit të evenimenteve, udhëheqjes së organizatës së saj dhe kujdesit ndaj fermës, Maria ka shpëtuar jetët e qindra kafshëve. Siç përmend, disa nga këto veprime shpëtimi kanë qenë tejet traumatike. 

 “Një prej rasteve më traumatike të shpëtimit që e kam përjetuar ndonjëherë ka qenë para disa muajsh. Mësova për dy qenë që ishin hedhur në një vrimë tri metra të thellë. Njëri prej qenve ishte i lidhur me litar. Qentë ishin disa muajsh. Ishin shumë të etur saqë pinin ujë me kripë ng dushi. Pas kësaj, vetëm kam qarë.” 

Fatkeqësisht, kjo nuk është përvoja e vetme traumatike të cilën e ka përjetuar Maria gjatë operacionit të saj shpëtues. Siç përmend, njerëzit nuk ngurrojnë t’i hedhin kafshët në rrugë. Kuajt dhe gomarët shpesh dërgohen në thertore nëse kanë probleme shëndetësore ose nëse janë të vjetër. Siç përmend Maria, mbrojtja e kafshëve duhet të ndryshohet në mënyrë sistematike.  

Maria ka edhe plot histori qesharake. Për shembull, kur ka shkuar në një fabrikë për të shpëtuar një tufë lejlekësh, por ka vuajtur nga frika prej shpendëve. 

“Fillimisht, duhej të kaloja dy orë me to në makinë, por kur arritëm në shtëpi, kuptova se do të duhet të kaloj çdo sekondë me to, derisa qentë e mi të mësoheshin me erën e tyre dhe të sigurohesha që nuk do t’i lëndonin ato. Kështu që, shkonim gjithandej me tufën, madje edhe në banjë. Mendoj se ky ishte momenti kur e hoqa qafe frikën time”, qesh Maria. 

Ripërdorimi i mbeturinave nga ferma 

Na vjen mirë që mund ta mbështesim fermën dhe organizatën e Marias. Maria përgatiti një plan për ripërdorimin e mbeturinave organike nga ferma për krijimin e paletave organike për kafshët. 

Maria ndoqi një trajnim me profesionistë, që e ndihmoi atë për hartimin dhe përmirësimin e projektit. Njëjtë si rasti i Marias, njohuritë që i kanë përvetësuar organizatat do t’u ndihmojnë atyre të hartojnë projekte të ngjashme në të ardhmen. Organizata e Marias ishte një prej atyre që ka marrë grant për realizimin e projektit të tyre. 

Aktorët e shoqërisë civile luajnë rol kryesor si në përgjigjen humanitare ashtu edhe në programimin zhvillimor. Punojmë në përforcimin e tyre duke u ofruar shkathtësi, resurse dhe rrjete për përmbushjen e rolit të tyre. Jemi të privilegjuar të bashkëpunojmë me njerëz si Maria dhe të kontribuojmë në përforcimin e praktikave të ekonomisë qarkulluese në Maqedoninë e Veriut.  

Projekti “Shoqëria civile dhe të rinjtë për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm përmes ekonomisë qarkulluese në Maqedoninë e Veriut” financohet nga Bashkimi Evropian. Udhëheqës i projektit është “People in Need (PIN) në partneritet me ARNO, LEAD dhe Ekovita.
“Ky botim financohet nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “People in Need” dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bashkimit Evropian. 
Author: Eva Mrázková

Artikuj të ngjashëm