TETËMBËDHJETË VITE MË PARË VALENTINA KISHTE HUMBUR KËMBËN NË KONFLIKT, TANI AJO DIZAJNON VESHJE EKSLUZIVE TË PRODHUARA NË KOSOVË

Publikuar: 31 korr 2017 Koha e leximit: 4 minuta
TETËMBËDHJETË VITE MË PARË VALENTINA KISHTE HUMBUR KËMBËN NË KONFLIKT, TANI AJO DIZAJNON VESHJE EKSLUZIVE TË PRODHUARA NË KOSOVË
© Foto: PIN Archive

Valentina Elshani kishte lindur në një fshat të vogël, në Krushën e Madhe, ku u rrit me motrën dhe dy vëllezërit e saj. Ajo ndoqi shkollën fillore dhe të mesme në fshatin e saj, i cili tani njihet më së shumti për shkak të masakrimit së burrave në këtë fshat gjatë luftës në Kosovë.

Konflikti ndikoi ndjeshëm edhe në jetën e Valentinës, ajo humbi njërën këmbë për shkak të granatës. Që atëherë Valentina mbanë protezë në këmbë, por asgjë nuk kishte mundur t'i kufizonte ëndrrat e saj, dhe të bëhej një stiliste e famshme e modës ishte gjithmonë njëra prej tyre. Ajo filloi vetëm dhe pa asgjë, përveç talentit të saj katër vjet më parë.

Fillimi ishte i vështirë por një ditë ajo pa mundësinë për ndihmë financiare në mediat sociale. Ajo aplikoi dhe e shndërroi idenë e saj në një plan afarist. Në fund, plani i saj ishte në mesin e 13 planeve të përzgjedhura, që morën ndihmën e projektit të përbashkët të People in Need, Handikos-it dhe Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Çeke për Zhvillim që fokusohej në punësimin e njerëzve me aftësi të kufizuara.

KAM BLERË PAJISJE TË REJA DHE KLIENTËT JANË MË TË KËNAQUR  

Valentina mori grantin prej 5,300 Eurosh për të zgjeruar dhe regjistruar biznesin e saj në qytetin historik të Prizrenit. "Besoj se do të jetë një shtytje e mirë për biznesin tim," u përgjigj ajo, sapo u shpall granti i parave për biznesin e saj fillestar.

Si person me vetëbesim dhe punëtore, Valentina bleu menjëherë makinerinë që i duhej qe një kohë të gjatë. "Tani unë përdor makineri më të reja dhe më të përparuara, të cilat janë profesionale dhe kanë lehtësuar punën time," theksoi Valentina derisa po qepte në makinën e saj të re të qepjes. "Puna ime tani është më efikase, më e lehtë dhe merr më pak kohë, dhe sigurisht që klientët janë më të kënaqur me punën time," shton ajo.

Suksesi erdhi mjaft shpejt. Valentina ia doli të hapë dyqanin, ku dizajnon të gjitha llojet e veshjeve. Të ardhurat e saj u rritën me 50% vitin e kaluar dhe këtë vit rritja do të shkoj në 100%. Ajo ishte në gjendje të punësonte motrën e saj dhe tani gjithashtu ka një praktikante.

FUSTANE PËR KËNGËTARE DHE 14,000 FANSE

Në veçanti veshjet e dasmës dhe koleksioni "Haute Couture" janë shumë të popullarizuara në mesin e klientëve. Modën e saj e veshin shpesh këngëtaret e famshme në Kosovë. Mbi 14,000 persona pëlqejnë profilin e saj në Facebook dhe më shumë se 1,800 të tjerë ndjekin modelet e saj në Instagram.

"Nuk ka shumë vite që unë jam në biznes, kështu që granti më ndihmoi shumë për të ecur përpara," thotë Valentina dhe shkurton pëlhurën për modelin e ri. Ajo tani kalon më shumë kohë në punë, por është në gjendje të mbështesë financiarisht familjen e saj dhe ka ende shumë ide për të zhvilluar biznesin. Tani ajo planifikon të zgjerojë hapësirën, ta kthej praktikanten në punëtore të rregullt dhe e fundit, por jo edhe nga rëndësia, të prezantoj produkte të reja.

Përveç që kujdeset për biznesin e saj, Valentina gjithmonë promovon punësimin e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Po hapi tjetër në karrierë? "Unë dua të ulem në rreshtin e parë të shfaqjes së modës ku do të shfaqen fustanet e qepura nga unë," ëndërron Valentina. Por një ëndërr tashmë u bë realitet. Ajo do të martohet me Mahmutin, një person tjetër me aftësi të kufizuara i cili ka hapur një kioskë falë grantit të BE-së.

Projekti i financuar nga BE-ja ka ofruar mbështetje për personat me aftësi të kufizuara, gjatë kalimit të tyre nga skema sociale në tregun e punës. 13 persona me aftësi të kufizuara patën mundësinë për të filluar biznes të ri ose për të zgjeruar biznesin ekzistues, bazuar në konkurrencën dhe vlerësimin e planeve të tyre të biznesit. "Para se të ndodhte kjo, pjesëmarrësit u trajnuan dhe u informuan se si të përpilojnë dhe përmirësojnë planet e biznesit dhe të menaxhojnë biznesin. Së bashku me ta kemi bërë një analizë të tregut," shpjegon menaxheri i projektit të PIN-it, Betim Zllanoga.

Tetë këshilltarë të tregut të punës u trajnuan për të lidhur personat me aftësi të kufizuara me mundësitë e punës në kompani private dhe kështu të mbështesin punësimin e tyre. Gjithsej 138 persona me aftësi të kufizuara kanë përfituar nga programi, 33 prej tyre janë punësuar dhe 150 të tjerë janë trajnuar për shtimin e kapaciteteve në vendin e punës.

Autor: Anita Plakolli, Petr Štefan

Artikuj të ngjashëm