Ftesë për pjesëmarrje në projektin "Fuqizimi i të rinjve përmes historisë"
Publikuar: 16 maj 2025 Koha e leximit: 5 minuta Sdílet: Sdílet článekShumë të rinj në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci, në Kosovë dhe në Serbi kanë shumë pak njohuri rreth gjenocideve të njohura ligjërisht në rajonin tonë. Këto tema rrallëherë hyjnë në programet shkollore dhe në diskursin publik ato shpesh përcillen me dezinformata, banalizim ose madje edhe me mohim, e ndonjëherë edhe nga zyrtarë të lartë. Në një mjedis të tillë kujtese kulturore dhe njohurish historike, të rinjve u mungon kuptimi i vazhdueshëm i së kaluarës dhe mjetet për t'u përballur në mënyrë kritike me gjuhën e urrejtjes. Për shkak të rëndësisë së temës, People in Need, së bashku me partnerët e saj, Shoqatën e Romëve në Republikën e Kroacisë "Kali Sara" dhe Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut nga Bosnja dhe Hercegovina, ka nisur projektin "Fuqizimi i të rinjve përmes historisë".
Edukimi bashkëkohor rreth gjenocideve është çelësi për parandalimin e përsëritjes së tragjedive historike, sepse i ndihmon të rinjve të kuptojnë mekanizmat e gjuhës së urrejtjes dhe regjimeve totalitare dhe të zhvillojnë një ndjenjë përgjegjësie për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e demokracisë.
Për shkak të rëndësisë së afrimit të rinjve me tematikën në katër vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë dhe Serbi, filloi projekti inovativ "Fuqizimi i të rinjve përmes historisë", që synon thellimin e të kuptuarit të tre ngjarjeve të errëta të shekullit të 20-të: Holokaustit, gjenocidit të luftës kundër romëve (Samudaripen) dhe gjenocidit në Srebrenicë.
Gjatë dy viteve të ardhshme, projekti do të përdorë një qasje inovative për të bashkuar edukatorë, historianë, aktivistë dhe të rinj nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova dhe Serbia me qëllim krijimin e materialeve moderne mësimore dhe forcimin e kulturës së përkujtimit të tri gjenocideve të njohura ligjërisht në rajonin tonë.
Ftesë për të marrë pjesë në punëtori mbi krijimin e materialeve edukative
Me anë të kësaj ftojmë të gjithë edukatorët/et, profesorët/et, mësuesit/et, aktivistët/et dhe punonjësit/et e të rinjve me të paktën dy vjet përvojë në punën me të rinjtë që të bashkohen në zhvillimin dhe testimin e materialeve.
Bashkërisht do të zhvillojmë materialet edukative inovative - mësime interaktive të bazuara në filma dokumentarë, romane grafike që evokojnë tregimet e të mbijetuarve dhe module me dëshmi - për të forcuar kujtesën e këtyre temave të rëndësishme dhe për t'ua përcjellë ato brezave të rinj.
Përmes projektit, pjesëmarrësit do të fitojnë qasje në metodologjitë moderne të BE-së Një Botë në Shkolla (One World in Schools) dhe Tregime të Padrejtësisë(Stories of Injustice), do të aftësohen për mësimdhënie të ndjeshme dhe pjesëmarrëse rreth Holokaustit, Samudaripenit dhe gjenocidit në Srebrenicë, si dhe do të zhvillojnë aftësi për të inkurajuar të menduarit kritik dhe për të luftuar dezinformimin.
Përveç punëtorive në Prishtinë dhe Sarajevë, do të realizojmë mundësinë e testimit të materialeve në zonat lokale dhe për pjesëmarrësit më aktivë, vizitat memorialëve në Zagreb, Pragë dhe Auschwitz-Birkenau, me çka që do ta forcojmë më tej perspektivën e përbashkët historike.
Përvoja, njohuritë dhe entuziazmi juaj mund të bëhen motori i ndryshimeve të përhershme në rajon. Bashkohuni me ne dhe së bashku do të ndërtojmë një Ballkan më tolerant dhe të fuqizuar në mënyrë kritike, ku të rinjtë mbajnë me krenari fenerin e kujtesës dhe vlerës së të drejtave të njeriut.
Aplikimet janë të hapura deri më 3.06.2025 dhe numri i pjesëmarrësve është i kufizuar. Mund të aplikoni përmes linkut dhe për më shumë informacione mund të kontaktoni përmes email-it: yehproject25@gmail.com .
Me rrjetëzimin e edukatorëve, projekti siguron vazhdimësinë e aktiviteteve edhe pas përfundimit të tij zyrtar. Do të publikohet një raport mbi praktikat më të mira dhe e gjithë paketa mësimore do t'u vihet në dispozicion shkollave dhe organizatave në të gjithë Evropën.
Rëndësia e metodologjisë “Një Botë në Shkolla”
Një Botë në Shkolla (One World in Schools-OWIS) është një metodologji inovative arsimore që përdor filma dokumentarë dhe aktivitete shoqëruese për të edukuar dhe fuqizuar një brez të ri qytetarësh aktivë. Duke kombinuar të menduarit kritik dhe angazhimin qytetar me forcën vizuale të filmit, OWIS përdoret në 14 vende të botës. U zhvillua nga organizata çeke People in Need në vitin 2001 si vazhdim i festivalit të filmit dokumentar mbi të drejtat e njeriut. Punëtoritë e OWIS sjellin tema të ndryshme më afër të rinjve, punonjësve me të rinjtë dhe mësuesve përmes dokumentarëve dhe manualeve e aktiviteteve edukative që i shoqërojnë ato.
Metodat interaktive të mësimdhënies, siç janë filmat dhe diskutimet në grup, përmirësojnë shumëfish ruajtjen e njohurive dhe angazhimin, ndërsa koncepti i " edutainmenta " duke kombinuar arsimin dhe argëtimin inkurajon interesin dhe kreativitetin e përhershëm e të rinjve.
Njëqind mësues dhe edukatorë të shkollave të mesme do të marrin pjesë fillimisht në punëtori mbi metodologjinë (One World in Schools-OWIS), e cila inkurajon të menduarit kritik me anë të filmave dokumentarë dhe Tregimet e Padrejtësisë (Stories of Injustice), e cila sjell histori autentike njerëzore në klasa përmes dëshmive të mbijetuarve. Të dyja metodologjitë theksojnë të nxënit aktiv, njohuritë mediatike dhe perspektivat gjinore në përvojat e persekutimit.
Të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç do të kenë mundësinë të marrin pjesë në ligjëratat e OWIS, të ndjekura nga vizita në vendet e vuajtjeve, qendrat përkujtimore dhe memorialët në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Serbi, Poloni dhe Republikën Çeke, ku të rinjtë do të ndiejnë se si vendet konkrete e shndërrojnë historinë abstrakte në një përvojë të fuqishme personale.
Ky projekt po zbatohet nga organizata ndërkombëtare People in Need së bashku me partnerët Shoqata Rome "Kali Sara" në Republikën e Kroacisë dhe Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut nga BH.
Projekti u financua me fondet e Bashkimit Evropian nga programi i BE-së-qytetarët, barazia, të drejta dhe vlerat (CERV). Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst u përkasin ekskluzivisht autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian dhe as organi që i ndan fondet nuk mund të konsiderohen përgjegjës për to.