Ne jemi drejtuar në rrugën qarkore!

Publikuar: 5 qer 2023 Koha e leximit: 6 minuta
With the support of the European Union, People In Need and Lets Do It Peja are jointly implementing the Circular Economy for Green Transition in Kosovo project.
© Foto: Canva

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, People In Need dhe Lets Do It Peja bashkërisht janë duke e zbatuar projektin e Ekonomisë Qarkore për Tranzicion të Gjelbër në Kosovë. Ky projekt synon të nxisë një tranzicion në një ekonomi qarkore në Kosovë përmes promovimit të praktikave të qëndrueshme dhe menaxhimit të përgjegjshëm të mbeturinave.

Duke fuqizuar ShSh-të dhe duke krijuar një rrjet gjinor përfshirës, ​​projekti shpreson që të përforcojë ndikimin e shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të sektorit privat në formësimin e reformave të politikave të cilat do të rezultonin në një ekonomi më qarkore. Përmes ngritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, projekti synon të promovojë mirëkuptimin dhe angazhimin në parimet e ekonomisë qarkore, duke kontribuar përfundimisht në një të ardhme më të qëndrueshme për Kosovën.

Përse është i rëndësishëm ky projekt?

Kosova është plotësisht e përkushtuar për t’i mirëpritur parimet e ekonomisë qarkore, një komponent vital i Agjendës të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Duke përvetësuar qasje qarkore, Kosova synon të përshpejtojë tranzicionin e saj drejt një ekonomie më elastike dhe me më pak karbon. Përqafimi i ekonomisë qarkore do t'i mundësojë Kosovës të rrisë qëndrueshmërinë e saj, të reduktojë mbeturinat dhe të promovojë përdorimin efikas të burimeve, duke kontribuar në një të ardhme më të gjelbër dhe më të begatë.

Bashkimi Evropian prodhon më shumë se 2.5 miliardë tonë mbeturina çdo vit. Aktualisht është duke përditësuar legjislacionin e saj për menaxhimin e mbeturinave për të promovuar një zhvendosje në një model më të qëndrueshëm të njohur si ekonomi qarkore.

Çfarë është ekonomia qarkore?

Ekonomia qarkore është një model i prodhimit dhe konsumit, i cili përfshin shpërndarjen, dhënien me qira, përdorimin e sërishëm, riparimin, rinovimin dhe riciklimin e materialeve dhe produkteve ekzistuese për aq kohë sa të jetë e mundur. Në këtë mënyrë zgjatet cikli i jetëgjatësisë të produkteve.

Në praktikë, kjo nënkupton reduktimin e mbeturinave në minimum. Kur një produkt arrin përfundimin e tij, materialet mbahen brenda ekonomizimit kudo që është e mundur falë riciklimit. Këto mund të përdoren në mënyrë produktive dhe të përsëritur, duke krijuar kështu vlerë të mëtejme.

Ky është një largim nga modeli tradicional, linear ekonomik, i cili bazohet në modelin merr-bëj-konsumo-hedh. Ky model mbështetet në sasi të mëdha të materialeve dhe energjisë të lirë, lehtësisht të qasshme.

Gjithashtu pjesë e këtij modeli është vjetërsimi i planifikuar, kur një produkt është dizajnuar të ketë një jetëgjatësi të kufizuar për të inkurajuar konsumatorët që ta blejnë përsëri. Parlamenti Evropian ka kërkuar masa për të trajtuar këtë praktikë.


Përfitimet: pse duhet të kalojmë në një ekonomi qarkore?

Për të mbrojtur mjedisin

Përdorimi i sërishëm dhe riciklimi i produkteve do të ngadalësonte përdorimin e burimeve natyrore, do të zvogëlonte përçarjen e peizazhit dhe mjedisit dhe do të ndihmonte në kufizimin e humbjes të biodiversitetit.

Një përfitim tjetër nga ekonomia qarkore është zvogëllimi i emetimeve të tëra vjetore të gazeve serrë. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, proceset industriale dhe përdorimi i produkteve janë përgjegjëse për 9.10% të emetimeve të gazeve serrë në BE, ndërsa menaxhimi i mbeturinave përbën 3.32%.

Krijimi i produkteve më efikase dhe të qëndrueshme që në fillim do të ndihmonte në reduktimin e konsumit të energjisë dhe burimeve, pasi vlerësohet se më shumë se 80% e ndikimit mjedisor të një produkti përcaktohet gjatë fazës të projektimit.

Një zhvendosje drejt produkteve më të besueshme të cilat mund të përdoren sërish, përmirësohen dhe riparohen do të zvogëlonte sasinë e mbeturinave. Paketimi është një problem në rritje dhe mesatarisht Evropa gjeneron rreth 180 kilogramë mbeturina të ambalazhuara në vit. Qëllimi është që të trajtohet ambalazhimi i tepërt dhe të përmirësohet dizajni i tij për të promovuar përdorimin e sërishëm dhe riciklimin.

Ulja e varësisë nga lënda e parë

Popullsia në botë po rritet dhe bashkë me të edhe kërkesa për lëndë të para. Megjithatë, furnizimi me lëndë të para kyçe është i kufizuar.

Furnizimet e fundme nënkuptojnë gjithashtu se disa vende të BE-së janë të varura nga vendet e tjera për lëndët e tyre të para. Sipas Eurostat, BE importon rreth gjysmën e lëndëve të para të cilat i konsumon.

Vlera totale e tregtisë (importi plus eksportet) i lëndëve të para ndërmjet BE-së dhe pjesës tjetër të botës është pothuajse trefishuar që nga viti 2002, me eksportet të cilat rriten më shpejt se importet. Pavarësisht, BE-ja akoma importon më shumë sesa që eksporton. Në vitin 2021, kjo rezultoi në një deficit tregtar prej 35.5 miliardë €.

Riciklimi i lëndëve të para zbut rreziqet të cilat lidhen me ofertën, të tilla si mosqëndrueshmëria e çmimeve, disponueshmëria dhe varësia nga importi.

Kjo vlen veçanërisht për lëndët e para kyçe, të nevojshme për prodhimin e teknologjive të cilat janë vendimtare për arritjen e qëllimeve klimatike, të tilla si bateritë dhe motorët elektrik.

Krijoni vende të punës dhe kurseni paratë e konsumatorëve

Lëvizja drejt një ekonomie më qarkore mund të rrisë konkurrencën, të stimulojë inovacionin, të nxisë rritjen ekonomike dhe të krijojë vende të punës (700,000 vende të punës vetëm në BE deri në vitin 2030).

Dizajnimi i sërishëm materialeve dhe produkteve për përdorim qarkor do të nxiste gjithashtu inovacionin në sektorët e ndryshëm të ekonomisë.

Konsumatorët do të pajisen me produkte më të qëndrueshme dhe inovative të cilat do të rrisin cilësinë e jetës dhe do t'iu kursejnë para në afat të gjatë.

Çfarë po bëjnë BE-ja dhe Kosova për t'u bërë një ekonomi qarkore?

Në muajin mars të vitit 2023, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, së bashku me UNDP-në, ka lansuar Udhërrëfyesin Qarkor të Ekonomisë. Udhërrëfyesi paraqet një vizion për të ardhmen më të qëndrueshëm me angazhime nga institucionet publike, sektori privat, akademia dhe shoqëria civile.

Komisioni Evropian, në vitin 2020 prezantoi gjithashtu planin e veprimit të ekonomisë qarkore, i cili synon promovimin e dizajnit më të qëndrueshëm të produktit, zvogëlimin e mbeturinave dhe fuqizimin e konsumatorëve, për shembull duke krijuar të drejtën për riparim). Ekziston një përqëndrim në sektorët me burime intensive, si elektronika dhe TIK, plastika, tekstilet dhe ndërtimi.

Në muajin shkurt 2021, Parlamenti miratoi një rezolutë mbi planin e ri të veprimit të ekonomisë qarkore, duke kërkuar masa shtesë për të arritur një ekonomi neutrale ndaj karbonit, të qëndrueshme ndaj mjedisit, jo toksike dhe plotësisht qarkore deri në vitin 2050, duke përfshirë rregulla më të rrepta të riciklimit dhe objektiva detyruese për përdorimin e materialeve dhe konsum deri në vitin 2030.

Në muajin mars 2022, Komisioni publikoi paketën e parë të masave për përshpejtimin e tranzicionit drejt një ekonomie qarkore, si pjesë e planit të veprimit të ekonomisë qarkore. Propozimet përfshijnë nxitjen e produkteve të qëndrueshme, fuqizimin e konsumatorëve për tranzicionin e gjelbër, rishikimin e rregullores të produkteve të ndërtimit, dhe krijimin e një strategjie për tekstilet e qëndrueshme.

Në muajin nëntor 2022, Komisioni propozoi rregulla të reja në mbarë BE-në mbi ambalazhimin. Me synim për t’i zvogëluar mbeturinat e paketuara dhe që të përmirësojë dizajnin e paketimit, për shembull me etiketim të qartë për të nxitur përdorimin e sërishëm dhe riciklimin; dhe bën thirrje për një kalim në plastikë me bazë bio, të biodegradueshme dhe të kompostueshme.

*** Teksti i lartcekur është i përshtatur nga ueb faqja e Komisionit Evropian. 

Autor: EU